TIRANË - Janë shtatë ose tetë subjekte të mëdhaja, të njohura si VIP-at e ekonomisë shqiptare, të cilët po bëhen gati të shpallin falimentin. Ose do të jenë organet shtetërore që do të urdhërojnë falimentimin e detyruar të tyre. Kjo mësohet nga Banka e Shqipërisë. Drejtori i Mbikëqyrjes në bankën qendrore, Deniz Deralla, deklaroi dje se, për pjesën e mbetur të debitorëve më të mëdhenj ndaj bankave, do të punohet lidhur me atë, se si të gjenden zgjidhje alternative, përmes ristrukturimit të borxhit. Kjo për disa prej tyre, madje, është arritur tashmë dhe një gjë e tillë, sipas zyrtarit të BSH, do të japë efekte pozitive gjatë këtij viti, duke qenë se do të ulet ndjeshëm stoku i kredisë së keqe.
Borxhlinjtë
Sipas të dhënave nga BSH, janë35 kompani të mëdha që zotërojnë pjesën më të madhe (65%) të kredive të këqija në sistemin bankar. Huatë e humbura, për të cilat bankat nuk kanë më shpresë arkëtimi, ranë në 52 miliardë lekë në tremujorin e fundit 2015, nga 66 miliardë lekë që ishin në tremujorin e tretë.
Për vitin 2015, ky sistem realizoi, në fakt, një fitim rekord prej 15.7 miliardë lekësh (afro 116 milionë euro), megjithatë Banka e Shqipërisë do të kërkojë nga bankat e nivelit të dytë që fitimi të mos shpërndahet, por të kapitalizohet, për të shëndoshur më tej gjendjen e sistemit financiar. Kjo do t?i shërbente një rritje të qëndrueshme të kreditimit gjatë viteve në vazhdim.
Problemet
Për vitin 2016, sistemi bankar fshiu nga bilancet 26 miliardë lekë kredi të humbura dhe ky u bë faktori kryesor në uljen e nivelit të kredive me probleme, që, sipas Bankës së Shqipërisë, zyrtarisht zbriti në 18.2% në fund të 2015, ndërkohë që në janar është në nivelin e 17.66%. Objektivi është që ky tregues të ulet në nivelin 15% deri në mesin e vitit të ardhshëm, falë ristrukturimit të suksesshëm të disa prej kredive me probleme, por, mbi të gjitha, falë rritjes së kredisë së re.
Zgjidhjet
Falimenti është zgjidhja e vetme e mundshme për ato kompani, që kanë ezauruar të gjitha rrugët për të rekuperuar fonde. Ndërkohë, për kompanitë pjesërisht të shëndetshme rekomandohet të gjejnë burime alternative jashtë bankave. Këtu mund të ndërhyjë qeveria për të blerë një pjesë të borxhit ose kolateralit të këtyre korporatave, në mënyrë që atyre t?iu sigurohen likuiditetet e nevojshme për ristrukturimin.