TIRANE - Në takimin e parë me ndërlidhësit e komunitetit, kryebashkiaku Erion Veliaj u kërkoi atyre të zbatojnë detyrën, në të kundërt do të përballen me përgjegjësitë ligjore. Një ndër to është edhe raportimi për rastet e ndërtimeve pa leje, apo të zaptimit të hapësirave publike.
"Keni marrë përsipër të prishni disa rehate, disa qejfe, dikë që zapton hapësirën publike. Unë i di të gjtiha këto, prisni që nëse do ta bëni mirë detyrën do prishni edhe kritika. Ju jeni deputeti i zonës. Duhet të raportoni për çdo ndërhyrje të paligjshme që bëhen në zonën tuaj, çdo ndërtim i ri pa leje, mban përgjegjësi para ligjit nëse nuk raporton", - tha kryebashkiaku Veliaj në sallën e këshillit bashkiak.
Ndërlidhësi ka një funksion si ndërmjetës në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme mesa banorëve të lagjes që ai mbulon.
"Jemi gjaknxehtë në TV, mendo në lagje ku nuk na sheh njeri. Në lagje ka sherre që zihen kush i la plehrat në ashensor, pra ndërlidhësi të sjellë pajtim ..", tha Veliaj.
Kryebashkiaku veçoi edhe një detyrë tjetër të ndërlidhësve, siç është ajo e evidentimit të familjeve në nevojë.
"Ka njerëz që kanë ardhur nga rrethet, fëmijë që kanë humbur prindërit, bashkëshortin, duhet t'i japim jo vetëm ndihmë ekonomike, asistencë sociale, por dhe mbështetje njerëzore, të jeni njeriu që i rri pranë njeriut pa njeriu. Për një vaki, të jeni në emër të bashkisë", u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Bashkia ka licencuar administratorët e pallatit të zgjedhur nga vetë banorët. Hallka e dytë është ndërlidhësi i komunitetit, i cili do të jetë për një popullsi nga 2000 deri në 2500 banorë dhe më pas administrator i njësisë bashkiake