TIRANË - Raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, u lexua ndryshe nga politika shqiptare, ku mazhoranca e pa si vulosje të draftit të ekspertëve me disa sugjerime plus, ndërsa opozita e përktheu në fitore të saj përballë kapjes politike që kryeministri sipas tyre donte t'i bënte sistemit gjyqësor.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta nuk përjashton mundësinë që edhe forca politike që ai drejton të ketë një lexim të ndryshëm nga aktorët e tjerë politik, ndaj nuk ngurroi të bëjë publik një propozim: Sugjerimet finale të Venecias t'i interpretojë EURALIUS dhe OPDATI.
Gjatë një konference për mediat, ryetari i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi nga palët politike që janë në Kuvend që sa më parë të miratojnë Reformën në Drejtësi. Meta ka theksuar se Reforma në drejtësi është themelore dhe se Venecia është udhërrëfyesi më i mirë për reformën në drejtësi.
Ai ka shtuar se, nuk ka më kohë për të humbur dhe se tani është momenti kur të gjithë palët duhet të punojnë me konsensus jo me numra.
?Reforma ka nevojë për jetëgjatësi e besim. Sistemi gjyqësor duhet të jetë efektiv, me integritet, të pavarur. Komisioni parlamentar për hartimin e reformës të fillojë nga puna. Iu bëj thirrje palëve të diskutojmë? ka thënë Meta.