Report TV - Biznesi,Veliaj premton të heqë taksën e tavolinës, jo të tjerat

2016-02-29 0

TIRANE - Përfaqësues të biznesit të cilët prej ditësh protestojnë kundër dhjetëfishimit të taksave të vendosura nga bashkia e Tiranës, u takuan këtë të hënë me kryebashkiakun Erion Veliaj.

Në këtë takim biznesi i paraqiti Veliajt 7 propozime për rishikimin e taksave, por pas takimit ata thanë se nuk u ra dakort për asnjërën për tyre, duke i lënë kështu derën të hapur një tjetër takimi që do të mbahet pasnesër, ose në të kundër protestave.

Në një dalje për mediat, kreu i Shoqatës së Tregtarëve Nikollaq Neranxi deklaroi se Bashkia nuk ra dakord me propozimet e tregtarëve, duke u treguar kategorike për zbatimin e taksave të reja. Me përjashtim të taksës së tavolinës, që, sipas bizneseve, Bashkia është e gatshme ta heqë. Por kjo nuk ka prekur taksat e tjera. Përfaqësuesit kanë lënë një afat të ri deri nesër, përndryshe, në rast se këto kërkesa nuk plotësohen, do të përshkallëzojnë protestat para godinës së bashkisë, të cilat kanë javë që i kanë nisur.

"Unë mendoj që bizneset e medhaja, të vogla dhe VIP-at do jenë në falimentim. Në asnjë pikë nuk ramë dakort. U tha qe ne muajin janar-shkurt do të shikojmë që mos të vëmë taksen e hapesires publike. Do shikojme qe mos heqim nje takse te tavolines per muajin janar-shkurt ose ndoshta per gjithe vitin. Nesër do mblidhemi përsëri këtu për të kërkuar të drejtat tona. Ne në fund të vitit jemi të falimentuar,'" tha Neranxi.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i biznesit, Adratik Lapaj tha se debati më i madh gjatë takimit ishte ai për taksën e hapësirës publike. "Në bashkëbisedimin tonë ne bëmë një formulë të re, shtresëzimin ose fashëzimin. Por diskutimi u la i hapur për pasnesër. Ne propozuam që nga 0-40 metra katror tarifa të qëndrojë siç ka qenë. Nga 40-80 metra të dyfishohej, nga 80-120 metra katrorë të trefishohej. Kjo është logjika . Që ata që zënë më shumë hapësirë të taksohen më shumë. Ata që zënë mbi120 metra katror të dhjetëfishohet taksa. Edhe për këtë ata ishin shumë të ngurtë, por ne ngulëm këmbë dhe u takim pasnesër" tha ai duke shtuar se biznesi u tregua mirëkuptues vetëm për dyfishimin e taksës së pastrimit dhe atë të infrastruktures arsimore.