TIRANË - Biznesmeni Nikollaq Neranxi beson se takimi me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do të ketë rezultat uljen e taksave ose heqjen e tyre.
Në një prononcim për Report TV pas protestës që përfaqësues së biznesit të vogël e të mesëm mbajtën përreth dy orë para godinës së bashkisë, Neranxi tha se telefonata që erdhi gjatë protestës për një takim në pasdite (ora 18:00) me kryebashkiakun Veliaj, i tërhoqi njerëzit nga protesta por jo nga vendosmëria për të kërkuar anulimin e taksave të dhjetë-fishuara siç është ajo për zënien e hapësirave publike.
"Padyshim besoj që qëllimi i takimit do të jetë ajo çfarë ne kërkojmë, ulja ose heqja e taksës, nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Këta i sollëm në pushtet për të ulur taksat. Me marrjen e pushtet këta duhet të krijonin lehtësira, por na i dhjetëfishuan taksat", - tha Neranxi.
Megjithatë biznesmeni tha se kundërshtia për vendimin që Bashkia mori në 30 dhjetor 2015 për të rritur taksat vendore, do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
"Në gjykatën Kushtetuese shkon të mërkurën është përgatitur gjithë drafti, unë kam besim tek gjykata. Por me telefonatën e tanishme që bëri kryetari i bashkisë unë besoj që do të negociojmë për t;i ulur, ose për t;i hequr këto taksat", - tha ai.