Report TV - Njësitë vendore 15 milionë $ dëm Në 2015 KLSH 65 kallëzime penale

2016-02-26 0

TIRANE - Nga auditimi i 48 njësive vendore gjatë vitit 2015, është zbuluar një dëm prej 15 milionë dollarësh për arkën e shtetit, shkak për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht 65 persona. KLSH ka bërë publike rezultatet e auditimeve të kryera në njësitë vendore, të kontrollit të territorit dhe menaxhimit të pasurive shtetërore, duke theksuar se 40 prej të kallëzurve janë nëpunës bashkie, ndërsa 25 nëpunës komunash.

Sipas KLSH, këta persona janë dërguar për ndjekje penale kryesisht për shpërdorime në administrimin e aseteve, ku kanë dhënë me qira e shitur pyje e kullota në kundërshtim me ligjin dhe pa zhvilluar procedurat e caktuara ligjore, siç është rasti flagrant i komunës Velipojë, Balldren i Ri dhe Novoselë.

Po kështu janë dërguar dhe për shkelje në zhvillimin e tenderëve.

Pjesa më e madhe e dëmit financiar prej 621 milionë lekësh është shkaktuar nga shkeljet e parregullsitë në dhënien me qira dhe shitjen e pasurive shtetërore. 439 milion dëme janë shkaktuar nga praktikat e legalizimeve, 297 milionë nga shkeljet me tenderët, 284 milionë nga shkeljet me tatimet e taksat.

Komuna Balldre, Lezhë është përgjegjëse për dëmin më të madh, I cili arrin 430 milionë lekë, afërisht 4 milionë dollarë. Shkelje të konsiderueshme janë gjetur edhe në Komunë Velipojë, e cila është përgjegjëse për një total prej rreth 2 milionë dollarësh dëm për arkën e shtetit.