Report TV - Pallati tek Liqeni, ambjentalistët dhe shoqëria civile: Të nisin protestat

2016-02-26 1

TIRANE - Ambjentalistët dhe shoqëria civile, e kanë quajtur të jashtëligjshme lejen e ndërtimit për një pallat 13-katësh në hyrje të parkut të Liqenit, pranë Fakultetit Ekonomik. Ambjentalisti Sazan Guri dhe përfaqësuesi i shoqërisë civile Besjan Pesha, thanë se protestat duhet të nisin edhe për pallatin 13-katësh, që sipas tyre shkel planin urbanistik. Sazan Guri thekson se leja për pallatin cënon hyrjen e parkut të liqenit.

"Ai është në zone buferike që do të thotë që 100m larg vijës kufi të parkut natyror ti s'mund të ndërtosh, kjo është zona buferike. Ai është 10-20m bile ajo ishte zona e mbrojtur e asaj kohe por rruga e Elbasanit e spostoi më brenda kufirit. Prapë më kufirin aktual ke 100m distancë që s'duhet të ndërtosh ore 50m s'duhet ai është 10-15m vetëm rruga e ndan", tha Guri.

Ndërsa Besjan Pesha thekson se për pallatin 13-katësh nuk ka pasur informin dhe kërkon sensibilizimin e qytetarëve për të protestuar

"Pra preken hapësira publike të cilat i përkasin qytetarëve pa informuar qytetarët preken hapësirat të cilat shërbejnë si mushkëri për fëmijët tanë dhe prodhojnë oksigjen dhe ne nuk jemi të informuar por gjendemi përballë këtij fakti të kryer. I njëjti sensibilitet që ekziston për parkun duhet të ekzistojë edhe për pjesët që e rrethojnë parkun kështu që absolutisht që unë besoj ka pasur reagime për atë çështje por do të ketë reagime akoma edhe më të forta pse jo", - u shpreh Pesha.