Report TV - 'Vezët', Meta: PD konflikt artificial largohet vëmendja nga reformat

2016-02-26 2

TIRANE - Për kryeparlamentarin Ilir Meta kaosi që opozita krijoi dje në Parlament deri në qëllimin me vezë ndaj kryeministrit Rama, është një konflikt artificial dhe i papranueshëm i cili duhet medeomos të shmanget, me qëllim që vëmendja e aktorëve politikë të mos largohet nga ecja para me reformat e rëndësishme, siç është ajo në drejtësi.

Një ditë pas seancës plenare e cila u drejtua nga nënkryetarja Valentin Leskaj, Meta i sapo kthyer nga një vizitë zyrtare në Suedi dhe Danimarkë, foli për qëndrimin e tij ndaj mbledhjes së parlamentit që degradoi në bllokim të foltores së Kuvendit dhe në përplasje të deputetëve të opozitës edhe me Gardën e Republikës.

Një situatë e tillë në këndvështrimin e kryeparlamentarit është e paparanueshme për funksionimin normal të Kuvendit dhe shpërqendron aktorët politikë nga reformat kryesore.

"Mendoj se çdo përpjekje për të nxitur konflikte artificiale dhe akte aspak të pranueshme për mënyrën e funksionimit të Parlamentit duhet të marrin fund. Parlamenti duhet të funksionojë bazuar në rregullore, por edhe në frymën e përgjegjshmërisë dhe të vetëpërmbajtjes, pasi besoj se qytetarët tanë nuk i meritojnë këto lloj shfaqjesh dhe konfliktesh që nxjerrin nga vëmendja problemet e tyre më të rëndësishme. Por njëkohësisht edhe shpërqendrojnë të gjithë aktorët politikë nga reformat kryesore me të cilat ne duhet të ballafaqohemi dhe që duhet të çojmë përpara. Pra, kërkohet një klimë tjetër bashkëpunimi, përgjegjshmërie dhe natyrisht që kërkohet një etikë krejt tjetër nga ajo që qytetarët kanë vënë re dje në Parlament", tha Meta.