BOTA E RE Emision i politikës së jashtme

2016-02-26 18

Vendimi i Azerbajxhanit, njëri nga gjigandët e eksportit të naftës në botë, që në kryeqytet, për herë të parë të organizojë garat Grand Prix në Formula 1, vjen me qëllim që qeveria e këtij vendi të promovojë shtetin dhe të tregojë shpresat për t’u rimëkëmbur pas rënies drastike të ekonomisë.

Ekonomia e Azerbajxhanit po vazhdon të vuajë nga çmimet e ulëta globale të naftës, të cilat kanë bërë që monedha kombëtare e këtij vendi, ‘manati’, të zhvlerësohet ndjeshëm kundrejt dollarit amerikan.

Rreth 10 milion banorët e këtij shteti Kaukazian të cilët falë eksportit të naftës dhe gazit arrijnë të mbulojnë 75% të të ardhurave, zhvlerësimi i ndjeshëm i ‘manatit’, po vazhdon të rrisë më tej presionin mbi buxhetin e shtetit.

Rezervat në buxhet të Azerbajxhanit kanë shënuar rënie për 65%, përkatësisht në 4,398 miliardë dollar, për dallim nga viti i kaluar kur buxheti i shtetit peshonte 12,680 miliardë dollarë. Kjo rënie sipas zyrtarëve vjen si rezultat i ndërhyrjeve në treg nga ana e bankës qendrore.

Prodhimi bruto vendor (GDP) vitin e kaluar ka shënuar rritje për vetëm 1.1%, për dallim nga objektivi fillestar i shtetit që ishte 3.3 për qind.

Gjatë konferencës së organizuar në Baku lidhur me zhvillimin ekonomik, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev u zotua se do të sigurojë përkrahje për bizneset lokale dhe sipërmarrësit në përgjithësi.

Ilham Aliyev, president i Azerbajxhanit
“Për zhvillimin e sipërmarrësisë deri më sot është bërë shumë. Një pjesë e madhe, më shumë se 80% e ekonomisë së Azerbajxhanit gjendet në duart e sektorit privat. Kjo gjë është rezultat i punës së realizuar gjatë viteve të fundit, por kjo periudhë, gjendja e tanishme kërkon qasje të reja. Prandaj, në rrethanat e tanishme duhet të merren masa shtesë me qëllim zgjerimin e mëtejshëm të biznesit, krijimin e kushteve më të mira për sipërmarrësit, duke përshpejtuar prodhimin vendor. Unë tashmë kam njoftuar agjencitë përkatëse qeveritare për këto hapa.”



Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar Azerbajxhanit që të përshpejtojë reformat dhe të modifikojë ekonominë e saj në mënyrë që të mund të përballojë rënien e çmimeve globale që kanë goditur keq të ardhurat buxhetore dhe monedhën vendase.

Bugar Bairamov, njohës i çështjeve ekonomike
“Ekonomia e Azerbajxhanit është goditur nga një seri oscilimesh negative. Në veçanti rënia e çmimit të naftës në tregjet botërore, dy zhvlerësimet e njëpasnjëshme të monedhës kombëtare ‘Manat’ dhe rënia e eksportit të Azerbajxhanit."

Por dëshira e Azerbajxhanit që të vazhdojë me organizimin e ngjarjeve të profilit të lartë, siç ishte organizimi i ‘Evrovizionit’ në vitin 2011 dhe inaugurimi i Lojërave Evropiane gjatë vitit të kaluar, ka shtyrë të mendohen autoritetet, nëse vendi do të mund të përballojë këto lloj shpenzimesh.

Valmir Kuçi,www.alsat-m.tv
pamjet - REUTERS

Free Traffic Exchange