Report TV - Opozita fut Kuvendin në kaos vezë Ramës, bllokojnë foltoren

2016-02-25 0

TIRANE - Opozita erdhi këtë të enjte në Kuvend me qëllimin për të penguar zhvillimin normal të seancës plenare nëse nuk futeshin në rendin e ditës tre propozime të tyre, mes të cilëve një ndryshim në ligjin e miratuar me konsensusin e palëve, atë të dekriminalizimit. Diçka e tillë nuk ndodhi e ndaj deputetët e opozitës bllokuan foltoren, krijuan zhurma në sallë duke i rënë tavolinave me duar dhe si në një protestë, demokratët kishin edhe pankarta me shkrimet "jashtë kriminelët".

Por pavarësisht kaosit të krijuar drejtuesja e seancës Valentina Leskaj hodhi në votim dekretet e presidentit të Republikës për shkarkimin e Shkëlqzim Canit nga Financat, dhe dy emërimet e Arben Ahmetaj tek ky dikaster dhe Milva Ekonomit tek ministria e Ekonomisë. Seanca u mbyll shumë shpejt me votimin e dekreteve vetëm me votat e mazhorancës. Opozita nuk u bë pjesë e votimit pasi thuajse gjatë gjithë zhvillimit të seancën qëndroi në këmbë duke bllokuar foltoren. Madje me mbylljen e votimit ndodhi ajo që pritej: Deputetët u përplasën me Gardën e Republikës duke e konsideruar të papranueshme një seancë të tillë, dhe hodhën vezë në drejtim të kryeministrit.

Në këtë votim u shfaq vrullshëm në seancë edhe deputeti Armando Prenga, i cili sapo ka votuar dekretet u largua pa rënë në "sytë" e kolegëve. Nje veprimi i çuditshem kur një ditë më parë i dërgoi letër kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, e shprehej se vetepezullohej nga Kuvendi deri në vendimin e Gjykatës për akuzat e plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje që rëndojnë ndaj tij. Por frika e Prengës ishte mandati, pasi ai ka më shumë se 5 muaj jashtë Kuvendit dhe nëse kalon afati 6 mujor, mandati i digjet!