Report TV - Balla: Amendimet e PD për dekriminalizimin, si ndërtimet pa leje në Kamëz

2016-02-25 0

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla pas përfundimit të seancës u shpreh për mediat se demokratët nuk mund të kërkojnë që ligji i dekriminalizimit të ndryshohet kur për të është rënë dakord me votë me konsensusin e të gjitha palëve. Ai e ka krahasuar amendimin e demokratëve për përjashtimin e deputetëve të arrestuar në flagrancë, me ndërtimet pe leje në Kamëz.

"Ne e dimë që një ligj që sapo është miratuar me konsensus tashmë është në fazën e implementimin dhe nuk janë ligjet si në fazën e ndërtimeve pa leje në Kamëz vjen njëri e hidh nga një kat. Ne kemi marrë në konsideratë të gjithë propozimet e PD, kështu ka kaluar ligji. Në ato nuk i kanë pasur këto propozime, jam i sigurt që pas një muaji do sjellin një tjetër kat pa leje. Janë parti që nuk dinë si bëhet një ligj, dhe se si implementohet një ligj. Aktet do të bëhen, vetëdeklarimi është i rëndësishëm. Ne e kemi kaluar ligjin me konsensus, ligji është miratuar. Sa herë që i teket PD-së e që deputetë të caktuar brenda PD vënë në dyshim lidershipin në thonjëza të Bashës PD i kthehet dhunës në sallën e Kuvendit. Sa herë i thotë Jozefina Bashës: "Ti Lulzim nuk ban". Vjen PD dhe prish punimet në Kuvend, nuk e ndez. I bëj thirrje Bashës të distancohet nga deputetë të PD-së që kanë thyer rëndë rregulloren", - tha Balla.

Sa i përket rastit të deputetit Armando Prenga, Balla tha se çështja tashmë i takon drejtësisë.

"Nuk ka të bëjë me një deputet të përjashtuar nga grupi i PS. Nne kemi thënë që çështja Armando Prenga i përket drejtësisë. Por të gjithë e dimë se kush e kontrollon gjyqësorin në këtë vend. Sali Berisha, dhe këtë e dinë të gjithë. Fakti që po kalon reforma në drejtësi bëjnë që ata të gjejnë një alibi, në emër të një kauze që nuk e kanë. Çështjen e kriminelëve duhet ta adresojnë shumë shpejt edhe në partinë e tyre", tha Balla.