TIRANE - Deputetët e Partisë Demokratike kanë qëlluar me vezë kryeministrin Edi Rama, ndërsa seanca plenare e kësaj të enjteje kishte përfunduar me votimin vetëm nga mazhoranca të dekreteve për shkarkimin dhe emërimin e ministrave.
Shefi i qeverisë ka qëndruar ulur gjatë gjithë seancës pa u bërë pjesë e debateve e duke ndjekur në heshtje protestën e demokratëve brenda sallës së Kuvendit.
Por në moment të fundit, disa nga deputetët duket se nuk e kanë duruar dot kët situatë dhe faktin që kërkesat e tyre për dekriminalizimin, ligjin për konfliktin e interesit dhe komisionet hetimore, nuk u morën fare në shqyrtim nga Kuvendi, dhe ndaj kanë hedhur vezë në drejtim të kryeministrit.
Veza e parë ka rrezikuar të prekë ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj....por më tej ishte deputeti Genti Strazimiri i cili ka qëlluar sërish me vezë në drejtim të kryeministrit. Edhe këtë radhë shefi i qeverisë ka shpëtuar paq, duke mos u prekur nga veza. Rama la parlamentin nga dalja anësore duke mos kaluar përmes sallës, ndërsa për të shmangur goditjen nga veza shoqëruesi i tij hapi çadrën.