LEZHE - Një biznesmen nga Mirdita në fushën e lëndëve drusore ka mbetur i plagosur ne kokë si pasojë e nja atentati me armë zjarri në Ishull Lezhë, 1 kilometër nga qyteti. Landi Noka është qëlluar teksa ishte duke udhëtuar i vetëm me makinë tip ?BMW X5. Policia ka identifikuar autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, vëllezërit Landi e Gjergj Kaçorri, të cilët janë shpallur në kërkim.
Ata kanë ndjekur 46-vjeçarin dhe sapo ka dalë nga superstrada për në rrugën hyrëse të Lezhës e kanë parakaluar duke qëlluar në drejtim të tij. I plagosuri është dërguar fillimisht në spitalin e Lezhës dhe më pas ai është transportuar drejt Tiranës në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai ka marrë një plumb në kokë, por falë ndërhyrjes së menjëhershme te mjekëve, tashmë është jashtë rrezikut për jetën.
Dyshimet për këtë krim lidhen me një konflikt të mundshëm që Landi Noka ka pasur me disa persona të tjerë në qytetin e Rrëshenit fundjavën që kaloi. Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se biznesmeni i plagosur është konfliktuar brenda sallës së Pallatit të Kulturës në qytetin e Rrëshenit, ndërsa zhvilloheshin zgjedhjet për delegatë të kongresit të Partisë Socialiste. Ky moment ka shërbyer si shkëndije për konfliktin pasi edhe më herët i plagosuri Noka dhe personat e dyshuar për këtë ngjarje kishin pasur konflikt mes tyre.
Gjithashtu dyshohet se shkak i këtij krimi mund të jetë dhe konflikti për shkak të konkurrencës. Policia ka ngritur postblloqe të shumta për të bërë të mundur kapjen e autorëve të këtij atentati