Rerpot TV - Haxhia: Bojkoti bëhet për të mbrojtur avokatët e rinj në treg

2016-02-24 1

Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia deklaroi në studion e Report Tv se vendimi për të bojkotuar nga sot e deri të premten seancat gjyqësore ka si qëllim mbrojtjen e avokatëve të rinj që futen në treg.

Sipas tij, avokatët kanë marrë këtë nismë, për shkak se propozimet e tyre mbi ligjin për mbledhjen e detyrueshme të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, nuk janë marrë parasysh.

?Ky vendim diskriminon avokatët e rinj që futen në treg. Nuk është bërë studimi se sa fiton dhe sa duhet të paguajnë. Nuk është kontributi taksë as detyrim. Unë kontribuoj sipas dëshirës sime. Unë mbase kontribuoj pak se dua pension të vogël,? tha Haxhia duke shtuar se nëse nuk rishikohen tarifat atëherë rrezikojnë të mos kryehen as pagesat e kontributeve shoqërore për muajin prill kur nis fasha e re pasi ata janë në pamundësi.

Po ashtu kreu i DHKA-së tha se është dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për deklarimin e pavlefshëm të ligjit, i cili sipas tij diskriminon të drejtën për të ushtruar profesionin e avokatit dhe shkatërron konkurencën e lirë.

Sa i përket bojkotit, Haxhia deklaroi se avokatët janë për zgjidhjen e problemit sa më shpejt dhe për këtë arsye kërkojnë takim fillimisht me Ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani dhe më pas me të gjitha institucionet përgjegjëse.

Këtë të mërkurë, me iniciativë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, u bojkotuan seancat gjyqësore në të gjithë vendin, duke përjashtuar vetëm proceset gjyqësore të cilat lidhen me vlerësimin e masave të sigurisë për të pandehurit.

Vetëm në kryeqytet bojkoti ka sjellë shtyrjen e mbi 300 seancave gjyqësore përfshi gjykatën civile, gjykatën penale dhe atë administrative.