Bashkia e Tiranës vijon investimet për shtimin e mjediseve kushtuar fëmijëve, duke u fokusuar jo vetëm në Tiranën e vjetër, por edhe në zonat periferike, si Bregu i Lumit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në këtë zonë për të inspektuar punimet që po kryhen për ndërtimin e godinave të reja arsimore e sociale dhe 14 ndërhyrje në infrastrukturë, me financim nga Bashkimi Evropian.
?Për të gjithë kritikët që mendojnë se ne investojmë vetëm në Parkun e Liqenit për fëmijët, kjo është prova më e qartë se ne po investojmë në të gjithë Tiranën, por sigurisht nuk do të shmangim as zonat tradicionale për kalimin e kohës së lirë. Nuk do të hezitojmë të investojmë siç po bëjmë në këtë komunitet, edhe në zonat periferike në zonën e Bregut të Lumit, ku ata që i përdorin gjërat politikisht e vizitojnë këtë pjesë të Tiranës vetëm në raste fatkeqësish?, u shpreh Veliaj.
Paralelisht, me ndërtimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale, kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se po punohet edhe për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore. ?Jemi duke investuar në 14 rrugë të njësisë 4 dhe njësisë 8, që i kanë territoret e tyre pranë zonës informale të Bregut të Lumit?, tha Veliaj. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar dhe lehtësuar zbatimin e këtij projekti. ?Një metër i shkurtuar nga avllia e tyre, do të thotë 1 metër vlerë e shtuar në një rrugë që ka asfalt, trotuar dhe ndriçim. Ndaj i lus qytetarët për bashkëpunim. Civilizimi ka një kosto të vogël, por ama, në fund fitojnë të gjithë dhe fitojnë kryesisht ata që pranojnë që aty të kalojë një rrugë, që tolerojnë pak nga bahçja e tyre, për të siguruar se e gjithë lagjja dhe e gjithë vlera e pronës rritet, falë këtij investimi?, përfundoi Veliaj.