Report TV - Procesi ndaj Imamëve, zbulohet agjencia turistike e imamit Hysa

2016-02-23 4

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur ballafaqimi i deklarimeve të 9 imamëve të pandehur me pyetjen e tyre në sallë nga prokuroria. Në seancën e kësaj të marte ka dëshmuar Verdi Morava i cili ka shpjeguar njohjen e tij me Mustafa Kuçin të denoncuar të zhdukur nga familjarët prej vitit 2014.

Sipas Moravës, Kuçin ai e ka njohur në xhaminë e Mëzesit dhe kohë më parë e ka shoqëruar për në Rinas pasi këtë ja kishte kërkuar Mustafai. Ai ka mohuar të ketë dijeni për intinerarin e tij drejt Sirisë, por tha se Mustafa Kuçi i kish shpjeguar se do të shkonte në Turqi për t?u kuruar nga Prostata.

I pyetur për vdekjen e Diamant Rashës, Morava ka shpjeguar se janë njohur rastësisht në një servis në Tiranë dhe për vdekjen e tij në Siri është njoftuar me një mesazh nga Bujar Hysa.

Gjatë hetimeve të dosjes së xhihadistëve prokuroria ka zbuluar se imami nën akuzë Bujar Hysa ka patur dhe një agjenci turistike për të dërguar shqiptarë në Mekë, por ende nuk ka mundur të faktojë nëse ky aktivitet është përdorur për transport xhihadistësh drejt Sirisë.

Rreth një vit më parë Gjykata e Krimeve të Rënda regjistroi dosjen në ngarkim të imamëve të vetëshpallur ndërsa pas 38 seancave provat e prokurorisë ndaj tyre kanë mbaruar dhe javën e ardhshme pritet që të paraqiten pretendimet e avokatëve mbrojtës.