KRUJË - Nuk është vetëm sharra dhe sëpata që dëmton pyjet, por edhe bagëtitë janë mjaft të rrezikshme. Ky dëmtim ndodh në malin e Krujës atje ku gjendet edhe pika turistike e Sarisalltikut mjaft e pëlqyer dhe e vizituar gjatë gjithë vitit nga mijëra vizitorë nga vendi dhe bota.
Për ta bërë sa më tërheqës këtë vend të mrekullueshëm, Ndërmarrja Pyjore e Krujës nga viti 2012 deri në 2014-ën ndërmori një aksion në shkallë të gjerë për pyllëzimin e të gjitha sipërfaqeve që ishin bosh. Dhe sipas drejtuesve të shërbimit pyjor në këtë rreth gjatë këtyre viteve u mbollën në këtë vend 3000 rrënje arra, 2500 rrënjë gështenja dhe 40 000 rrënjë pisha duke mbuluar kështu pothuajse të gjitha hapësirat boshe në këtë mal. Por fatkeqësisht asnjë rrënjë e tyre sot nuk ekziston, të gjitha u zhdukën e u shfarosën nga bagëtitë që kullosin në këto hapësira në mënyrë të kundraligjshme. Stanet e bagëtive kanë mbirë njëri pas tjetrit dhe vazhdojnë të shtohen bashkë me kopetë.
Shkatërrimi i këtyre pyjeve vazhdon të thellohet çdo ditë në pjesën natyrore të tyre dhe askush nuk i thotë NDAL kësaj masakre që vazhdon.
Disa biznesmenë të zonës po përpiqen të bëjnë aq sa munden duke mbjellë pemë të ndryshme, por për t'i zëvendësuar sipërfaqet e shkatërruara. Ndërmarrja Pyjore tashmë është shkrirë dhe mbyllur e nuk dihet se kush do i mbrojë këto pyje.