Report TV - Vdekja e minatorit në Tropojë pranga administratorit të "Bytycit"

2016-02-20 5

TROPOJE - Një ditë pasi një minator gjeti vdekjen në galeritë nëntokësore, policia vuri në pranga administratorin e firmës "Bytyçi sh.p.k" ku minatori ishte i punësuar.

48-vjeçari Elez Muja nga fshati Vlad akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.

39-vjeçari Bashkim Sadikaj nga fshati Zogaj i Tropojës humbi jetën më 18 shkurt ndërsa ishte duke punuar në galerinë numër 12 që administrohet nga firma Bytyçi.

Pas aksidentimit në minierë, të parët që i erdhën në ndihmë 39-vjeçarit ishin kolegët e tij, por Sadikaj nuk mundi t'i mbijetojë dëmtimeve të marra ndaj humbi jetën rrugës për në spital.

Me dhjetëra jetë janë marrë në vendin tonë si pasojë e mungesës së kushteve të sigurisë në punë, nga kompanitë që kanë marrë në administrimin aktivitetin minerar.

Ndërsa në tetë vitet e fundit numri i aksidenteve fatale nëpër miniera arrin mbi 30, rezulton se asnjë pronar apo administrator minierash nuk është gjykuar përgjegjës për tragjeditë as nuk eshte arrestuar. Në disa raste hetimeve i janë nënshtruar persona në rang brigadieri apo teknikësh zonash, por pa dënime konkrete. Policia apo prokuroria i ka mbyllur vazhdimisht hetimet me motavacionin se tragjeditë janë shkaktuar nga pakujdesia në punë e vetë minatorëve.

Free Traffic Exchange