Report TV - Abuzimi i UKT me faturat, Tahiri krah protestuesve në Kombinat

2016-02-20 2

TIRANË- Skandal me Ujësjellësin e Tiranës. Muajt e fundit qindra konsumatorëve u kanë ardhur fatura uji abuzive, me sisi uji të pakonsumuar prej tyre, rrjedhimisht shuma më të larta, një ndryshim stratosferik nga muajt e kaluar. Duke u nisur nga ky abuzim qytetarë të shumtë të zonës së Kombinatit në kryeqytetit u ngritën këtë të shtunë në protestë duke bllokuar rrugën. Ata shprehen se faturat e muajit janar kanë ardhur deri në 200 % më shumë, krahasuar me dhjetorin.

Në mbështetje të kauzës së tyre është gjendur vetë ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, i cili i është bashkuar protestës për të dëgjuar nga afër shqetësimet e banorëve të Kombinatit, zonë ku ai ka qenë deputet.

Ndërsa i mblodhi faturat abuzive qytetarëve duke i premtuar zgjidhje të problemit të tyre, ministri i dha edhe lajmin e mirë që kishte mësuar prej Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj: Se mbifaturimet do të anulohen.

Duke e quajtur një abuzim skandaloz, ministri paralajmëroi se nëse vërtetohet që mbifaturimet të jenë të qëllimshme atëherë përgjegjësit do të ndëshkohen penalisht.

"Protestë e drejtë për një abuzim që do ndreqet menjëherë. Faleminderit banorëve të Kombinatit. Me këta njerëz protestoja në opozitë, atëherë kur qeveria nuk kishte as sy e as vesh. Sot protesta ishte e drejtë, për një abuzim skandaloz të UKT. Unë isha prap aty e aty do jem përherë. Sot qeveria ka edhe sy, edhe vesh për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Mbifaturimi abuziv duhet të marrë fund menjëherë. E në qoftë abuzim i qëllimshëm, dikush duhet të mbajë përgjegjësi penale. Fola me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, dhe më premtoi anulimin e faturave abuzive dhe zgjidhjen e problemit një herë e mirë. Protestë e drejtë, për një kauzë të drejtë, që do zgjidhet shumë shpejt. Faleminderit edhe një herë banorëve të kombinatit", shkroi Tahiri në rrjetin social Facebook pas përfundimit të protestës.

Ky fenomen nuk rezulton të jetë vetëm në zonën e Kombinatiti duke krijuar dyshime të forta mbi menaxhimin e UKT-së që mesa duket ka dështuar mbi cilësinë e kontrollit të faturave.

Free Traffic Exchange