Report TV - Rama:Të lutemi të gjithë bashkë që qeveria e vjetër të kthehet opozitë

2016-02-20 0

POGRADEC - "Mirë është që të gjithë bashkë të lutemi që qeveria e vjetër të kthehet sa më shpejt në opozitë, se pa opozitë është e vështirë sepse është njësoj si të hysh në fushën e basketbollit e të kesh përballë një tufë me njerëz që duan në çdo moment të shpojnë topin" - me këto fjalë ju drejtua kryesocailisti Edi Rama qytetarëve të pranishëm në ceremoninë e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste të Pogradecit.

Kryeministri tha se mungesa e një opozitë me vizion dhe program e bën edhe më të vështirë qeverisjen.

"Për fat të keq jemi në një situatë të përgjithshme politike që nuk është e lehtë sepse nuk kemi opozitë, kemi një kundërshtarë që është thjesht dhe vetëm qeveria e vjetër e cila vazhdon të mendojë se në 2013-ën ka ndodhur një padrejtësi dhe vazhdon të flasë sikur në 2013-ën kjo padrejtësi solli një përmbysje absolutisht të pafavorshme për vendin tonë dhe ata ndjenë të detyruar të vazhdojnë t'i tregojnë popullit të njëjtat broçkulla dhe mundohen ta bindin se ishin më mirë kur ishin më keq. Mungesa e një opozite sfiduese me vizion, me program, e bën më të vështirë qeverisjen. Ndërsa prania e përditshme e një qeverie të vjetër në jetën dhe debatin publik të vendit me kaq shumë baltë dhe kaq shumë shpifje natyrisht që e bën shumë më të vështirë për njerëzit që ta ndjekin politikën me kënaqësi dhe dëshirë. Por ka edhe një arsye më shumë që sot makineria e baltës është vënë në një lëvizje intensive dhe që çdo ide, çdo vendim, nismë, çdo punë e qeverisë sonë goditet dhe kriminalizohet si pjesë e një procesi të inkriminuar korrupsioni dhe kusarie, dhe kjo arsye është sepse ne po bëjmë reforma që kudo krijojnë rezistencë, pakënaqësi dhe kundërshtarë, prekin edhe shumë interesa. Nuk kemi opozitë por kemi përballë një kundërshtar që alternativ të vetme ka baltën në përpjekjen për t'ua neveritur sa më shumë njerëzve politikën dhe për t'ia arritur vetes qëllimin me moton "shpif-shpif se diçka do të mbetet", - tha Rama.