TIRANË- Shoqëria civile kërkon të jetë aktive në reformën në drejtësi. Përfaqësues të forumit civil në një deklaratë për mediat thanë se ky angazhim lidhet me shqetësimin se korrupsioni i madh dhe praktika e pandëshkueshmërisë në 25 vjet , e bën dyshues vullnetin e politikës për finalizimin e kësaj reforme jetike.
Andrea Stefani tha se palët politike nuk kanë pasur prioritet reformën në drejtësi e për këtë kanë kërkuar të bëhen pjesë e diskutimeve të komisionit të posaçëm për të dhënë ekspertizën profesionale të shoqërisë civile në këtë proces.
"Në kushtet ku një pjesë e elitave politike shfaqen të lëkundura por edhe të ndërgjegjshëm se një reformë e vërtet në demokraci nuk mund të kurorëzohet me sukses pa mbështetjen e shtresave të gjera qytetare, forumi civil shpreh vullnetin të jetë pjesë aktive e procesit në mbështetje të themelimit të një gjyqësori të pavarur nga politika dhe të udhëhequr vetëm nga e drejta," tha Stefani.
Kozara Kati tha se kjo reformë duhet që në fund të sigurojë që të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, kjo sipas saj nuk ka ekzistuar në 25 vjet. Mungesa e besimit të qytetarëve tek politika po i largon ata nga vendi tha ajo.
"Besoj se kjo do të mundësojë rikthimin e besimit të qytetarëve tek politika, tek ndërkombëtarët," u shpreh Kozara Kati.
Ekspertë të forumit civil për reformën në drejtësi pritet të parashtrojnë në tryezë propozimet e tyre për këtë reformë që u shërben qytetarëve e që duhet të sigurojë barazinë para ligjit.