TIRANE - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta beson se kreu i shtetit Bujar Nishani do të respektojë afatin kushtetues prej 7 ditësh për të dekretuar emërimet e dy ministrave të rinj, Arben Ahmetajn tek Financat dhe Milva Ekonomin tek ministria e Ekonomisë.
Sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim bashkëpunimi mes presidentit dhe kryeministrit si propozues i dy emrave të ministrave, do të ecë në frymën e zbatimit të Kushtetutës. Meta tha se nuk ndihet i shqetësuar për krijimin e ndonjë konflikti të mundshëm institucional, ndërsa e quajti artificiale dhe të panevojshme krizën kushtetuese për dekretet.
"Lidhur me dekretet për dy zëvendësime në qeveri unë besoj se ne kemi nevojë për një klimë sa më bashkëpunuese mes institucioneve në respekt të zbatimit të kushtetutës. Besoj se çdo gjë do të ecë sipas parashikimeve që bën kushtetuta, nuk kam arsye për të qenë i shqetësuar se një iniciativë e tillë do të keqpërdoret për të sjellë konflikt apo kriza kushtetuese artificiale dhe të panevojshme. Duhet të ritheksoj besimin se fryma bashkëpunuese mes institucione për zbatimin e kushtetutës do të prevalojë mbi thellimin e mosbesimeve të panevojshme", tha Meta.
Këtë deklaratë Meta e dha në përgjigje të interesit të gazetarëve, ndërsa doli në një konferencë për mediat në selinë e LSI-së për të folur për zgjedhjet në strukturat e kësaj force politike që pritet të nisin në mars.