TIRANË - Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës, Ledion Lako, zbulon ngërçin institucional të pamundësisë së konservimit dhe ekspozimit të njërës prej kryeveprave të trashëgimisë sonë. Bëhet fjalë për një mozaik me motive marine, që datohet në shek. I p. Krishtit. Ky mozaik është publikuar dje në Shqiptaraja.com, ku mësohet se zbulimi i rrallë arkeologjik ndodhet i mbuluar nën një trotuar. Çështjen e këtij mozaiku e solli në qendër vëmendjes arkeologia e njohur Lida Miraj, fotografinë e të cilit e zbuloi në një nga koleksionet e arkeologut Moikom Zeqo, që është marrë me studimin e tij. ?Mozaiku është akoma aty, nën një trotuar dhe pret që të rihapet, për të treguar trashëgiminë e pasur kulturore të Durrësit, si një nga qendrat me te rëndësishme te Mesdheut?, ka shkruar në Facebook-un e saj arkeologia.