TIRANE - Lideri i opozitës Lulzim Basha e ka pritur me lumë akuzash shkarkimin e ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe zëvendësimin e tij nga kreu i dikasterit të Ekonomisë Arben Ahmetaj. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat pas këtij vendimi të kryeministrit Rama, Basha akuzon Ahmetaj si të besuarin e kreut të qeverisë për të vjedhur paratë e shqiptarëve.
Sipas Bashës, Shkëlqim Cani është bërë "kurban" i Ramës për të mbuluar vjedhjen e 400 milionë dollarëve në Tatime dhe në Dogana.
Akuzat e tij vijojnë edhe ndaj zëvendësministres së Shëndetësisë Milva Ekonomi, e cila do të emërohet në vend të Ahmetajt si ministre e Ekonomisë. Sipas krydemokratit, Ekonomi është e përfshirë në koncesionet korruptive në shëndetësi.
E për të sjellë ndryshimin në vend, alternativa e demokratëve mbeten zgjedhjet e parakohshme. "Ndryshimi i vërtetë nis me largimin e Edi Ramës dhe bandës së tij plaçkitëse", shkruan Basha.