TIRANË - Një person i paidentifikuar dyshohet të jetë vrarë me një plumb në zemër dhe të jetë groposur në Malin e Dajtit gjashtë muaj më parë.
...
Kufoma e dekompozuar e një mashkulli u gjet e groposur jo shumë në thellësi në fshatin Prisk Dajt, nga qeni i një bariu i cili ka gërmuar duke nxjerrë në pah trupin e pajetë. Burime nga Policia e Tiranës thanë për Shqiptarja.com se ka dyshime që personi ende i paidentifikuar të jetë vrarë me armë, kjo pasi në trupin e tij ka një vrimë në zemër. Të njëjtat burime thanë se ai mund të ketë gjashtë muaj që është vrarë.
Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, policia tha se njoftimin për këtë ngjarje e mori nga një bari i zonës, i cili tha se kishte gjetur kufomën e një mashkulli në vendin e quajtur "Zabel".
Sipas policisë, kufoma u transportua pranë morgut në qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe pas ekzaminimeve mjeko-ligjore pritet të mësohet më shumë për moshën e tij dhe nga se mund t'i jetë shkaktuar vdekja.