Report TV - Trafik ndërkombëtar droge, një shqiptar e 2 maqedonas në pranga

2016-02-15 9

Një 52-vjeçar nga Tirana dhe dy maqedonas u arrestuan nga policia pasi ishin në kërkim për trafik ndërkombëtar të drogës, në funksion të të njëjtin procedim penal të një vit më parë ndaj grupit të trafikantëve.

Bashkim Murataj u arrestua këtë të shtunë në kryeqytet, ndërsa Mevlan Idriz 39 vjeç nga Tetova dhe Mahid Abdi 46 vjeç nga fshati Sallarevë i Maqedonisë u arrestuan nga policia kufitare në Kapshticë.

Policia sekuestroi edhe 73 gramë kanabis, 4 aparate celularë, 150 euro dhe 1 makinë Vloksvagen polo. këto arrestime vijnë në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar "Chema", i nisur në 7 maj të 2015-ës dhe i finalizuar këtë të shtunë me tre arrestime të tjera.

Ndërkohë, në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar e ndaluar edhe 15 persona u në Maqedoni dhe Serbi.

Operacioni për arrestimin e tyre është koordinuar nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me DVP Tiranë, Korçë dhe autoritetet policore maqedonase, serbe, turke dhe kosovare.

Në operacionin Chema që zgjati rreth 1 vit në Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi janë sekuestruar në total 3232 gr heroinë, 4600 gr kanabis sativa dhe 2.83 gr kokainë.

Në një njoftim zyrtar për mediat, policia thotë se "bashkëpunimi midis Policive të shteteve fqinje ka qenë shumë i mirë, i koordinuar, dhe shkëmbimi i informacionit midis palëve ka qenë shumë intensiv ku çdo gjë është transmetuar në kohë reale".