TIRANË - Lideri i opozitës Lulzim Basha e shesh vizitën e John Kerryt si shprehje të mbështetjes së jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaj vendit tonë. Pas një takimi i cili zgjati rreth 40 minuta në hotel "Rogner" me sekretarin amerikan të shtetit, Basha nënvizoi se mbështetja e SHBA-ve ishte vendimtare për procesin e dekriminalizimit, që Shqipëria ndërmori me sukses duke votuar ligjin. "Pa përkrahjen e SHBA dekriminalizmi nuk do të realizohej", - u shpreh kryedemokrati në një prononcim për gazetarët.
"I sigurova në këtë takim se Partia Demokratike ashtu sikundër ka bërë deri më sot do të vazhdoj të jetë në krye të përpjekjeve për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve euroatlantike të demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Dhe se ashtu si në qeverisje edhe në opozitë Partia Demokratike mbetet e përkushtuar jo vetëm ndaj këtyre vlerave, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, siç ishte rasti i procesit të dekriminalizimit. Proces kyç për të sotmen dhe të nesërmen e demokracisë shqiptare dhe që nuk do të ishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të SHBA-ve", tha Basha.
Edhe para Kerry-t Basha ka shprehur qëndrimin se reforma në drejtësi duhet të ecë vetëm sipas rekomandimeve të Venecias.
Megjithatë, një pikë kyçe për të ardhmen e vendit ku Basha kërkon angazhimin e SHBA-së është edhe reforma zgjedhore.
Basha e sheh takimin me Kerryn në mesin e një axhende të ngjeshur, si vlerësim për Partinë Demokratike.
Në këtë takim Basha shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, deputetët demokratë Edmond Spaho, Jorida Tabaku dhe Aldo Bumçi, ndërsa mungonte lideri historik i së djathtës Sali Berisha.