Report TV - Kerry: Jeni në rrugën e duhur Rama: Drejtësia votohet në mars

2016-02-14 0

TIRANE - Sekretari Amerikan i Shtetit zbriti në tokën shqiptare në orën 09:45 dhe përmbylli të parën vizitë zyrtare në vendin tonë në 13:45, pas takimeve që pati me aktorët më të rëndësishëm të politikës, kryeministrin Rama e liderin e opozites Basha.

Kryediplomati amerikan 73-vjeçar zbriti me sportivitet shkallët e avionit ku mirëseardhjen ja uroi Presidenti i Republikës Bujar Nishani në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas. Kerry dhe kreu i shtetit shqiptar biseduan së bashku për 3 minuta në fundin e shkallëve zbritëse të avionit, në prani të ambasadorit amerikan në vendin tonë Donald Lu. Një takim i përzemërt që u mbyll në Rinas me bisedën e shkurtër kokë më kokë mes tyre.

Pas përshëndetjes me kreun e shtetit, diplomati i lartë amerikan nisi udhëtimin drejt Tiranës për të mbërritur në ndalesën e parë, në selinë qeveritare. Në kryeministri John Kerry u takua me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, e më tej kreun me qeverisë shqiptare Edi Rama, me të cilin mbajti një konferencë për mediat.

25 vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Sekretari Amerikan i shtetit John Kerry vlerësoi arritjet pozitive të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri për një çerek shekulli. Zyrtari i lartë amerikan vlerësoi në mënyrë specifike punën e kryeministrit Edi Rama dhe ekipit të tij në dy vjet qeverisje duke u shprehur se ky angazhim i qeverisë po e çon vendin në rrugën e duhur.

Free Traffic Exchange