Report TV - Basha takon Kerryn: Partnerët të angazhohen për zgjedhje të lira

2016-02-14 0

TIRANË - Lideri i opozitës Lulzim Basha e shesh vizitën e John Kerryt si shprehje të mbështetjes së jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaj vendit tonë. Pas takimit që mbajti në hotel "Rogner" me sekretarin amerikan të shtetit, Basha tha se mbështetja e SHBA-ve ishte vendimtare për procesin e dekriminalizimit, që Shqipëria ndërmori me sukses duke votuar ligjin. "Pa përkrahjen e SHBA dekriminalizmi nuk do të realizohej", - u shpreh kryedemokrati në një prononcim për gazetarët.

"I sigurova sekretarit amerikan të Shtetit që PD do të vazhdojë të jetë në krye të përpjekjeve për ruajtjen dhe konsolidimin e shtetit ligjor. Si në qeverisje dhe opozitë PD mbetet e përkushtuar ndaj këtyre veprave, siç ishte dekriminalizimi që nuk do ishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e gjithanshme të SHBA. Të tjera sfida, krimi korrupsioni si parakusht për ecjen para të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian", - tha Basha.

Edhe para Kerry-t Basha ka shprehur qëndrimin se reforma në drejtësi duhet të ecë vetëm sipas rekomandimeve të Venecias.

"Reforma në drejtësi duhet të jetë në përputhje me normat e pranuara bashkarisht siç janë ato të Komisionit të Venecias", - theksoi Basha".

Megjithatë, një pikë kyçe për të ardhmen e vendit ku Basha kërkon angazhimin e SHBA-së është edhe reforma zgjedhore.

"Zgjedhje të lira dhe të ndershme për të cilat opozita kërkon angazhimin e partnerëve si një reformë kyçe pa të cilën Shqipëria nuk mund të bëjë përpara", - përfundoi Basha.

Në këtë takim Basha shoqërohen nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, deputetët demokratë Edmond Spaho, Jorida Tabaku dhe Aldo Bumçi, ndërsa mungonte lideri historik i së djathtës Sali Berisha.