TIRANE - Sekretari Amerikan i Shtetit preku për herë të parë tokën shqiptare pak minuta para orës 10:00, mbi treçerek ore nga sa ishte parashikuar sipas axhendës zyrtare në 09:00. Kryediplomati amerikan 75-vjeçar zbriti me sportivitet shkallët e avionit ku mirëseardhjen ja uroi Presidenti i Republikës Bujar Nishani në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas. Kerry dhe kreu i shtetit shqiptar biseduan së bashku për 3 minuta në fundin e shkallëve zbritëse të avionit, në prani të ambasadorit amerikan në vendin tonë Donald Lu. Një takim i përzemërt që u mbyll në Rinas me bisedën e shkurtër kokë më kokë mes tyre.
Pas përshëndetjes me kreun e shtetit, diplomati i lartë amerikan nisi udhëtimin drejt Tiranës për të mbërritur në ndalesën e parë, në selinë qeveritare. Në kryeministri John Kerry u takua ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, e më tej kreun me qeverisë shqiptare Edi Rama.
Pak metra nga kryeministria, Kerry do t'i drejtohet hotel "Rogner", ku pritet të takojë kryetarin e opozitës Lulzim Basha, bisedë që përmbyll takimet e vrullshme me liderët politikë shqiptarë.
Takimin e fundit në qëndrimin e shkurtër në vendin tonë, Kerry do ta ketë me përfaqësues të shoqërisë civile tek Muzeu Historik Kombëtar.
Shefi i diplomacisë amerikane vjen në vendin tonë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Ne kete vizite Kerry shoqerohet nga zyrtarja tjeter e larte e Departamentit Amerikan te Shtetit. Viktori Nuland.