TIRANË - Familjet që kanë probleme me kontratat e energjisë elektrike, me matësit apo probleme të tjera që lidhen me OSHEE do të kenë mundësinë ti korrigjojnë pa pagesë deri në qershor të këtij viti. Pas këtij muaji të gjitha veprimet do të jenë me pagesë, e cila shkon deri në 14 mijë lekë. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se janë rreth 100 mijë familje që kanë probleme dhe që duhet të aplikojnë. Pak ditë më parë këshilli mbikëqyrës i OSHEE vendosi të shtyjë afatin e aplikimit për këto familje. Problemet me kontratën e energjisë elektrike nisin nga ngatërrimet e emrave, në përdorimin e kontratës me emrin e pronarëve të mëparshme të banesës, me sahate me probleme, apo dhe me ngatërrimin e linjave, ku fatura e një familjeje i shkon një familje tjetër. Më parë procesi ishte parashikuar të zgjaste deri në muajin dhjetor, por për shkak të kërkesave ky afat është shtyrë dhe me gjashtë muaj.
Për të kërkuar rregullimin e gabimeve, OSHEE ka miratuar formularët tip që duhet të plotësojnë të interesuarit. Formularët janë ndarë në tipe për familjarë dhe për konsumatorët jo familjarë.
Burimet kanë saktësuar se pas muajit qershor do të jenë punonjësit e OSHEE që do të kërkojnë rregullimin e problematikave dhe këtë herë kundrejt pagesës. Kështu, pas konstatimit të problematikave, punonjësit e OSHEE do të kontaktojnë me konsumatorët për t?u kërkuar rishikimin dhe përditësimin e të dhënave, por kjo kundrejt kostos prej 14 mijë lekë. ?Qëllimi i procesit të përditësimit të të dhënave synon saktësimin e të dhënave të klientëve, në mënyrë që të vendoset një marrëdhënie kontraktore e rregullt në shërbim të palëve klientit dhe furnizuesit. Me përditësimin/ plotësimin e këtyre të dhënave, synohet që të bëhet evidentimi i saktë i të dhënave të klientit si dhe të objektit që furnizohet me energji elektrike dhe shmangia e rasteve të paqarta dhe konfuze, për shkak të pasaktësisë së këtyre të dhënave?, thuhet në deklaratën e OSHEE. Më tej shtohet se ky përditësim është dhe detyrim ligjor.