TIRANE - Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry pritet të prekë për herë të parë tokën shqiptare. Zyrtari i lartë amerikan do të pritet në Rinas nga vetë kreu i shtetit, Presidenti i Republikës Bujar Nishani.
Shefi i diplomacisë amerikane vjen në vendin tonë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Gjatë qëndrimin 5 orësh në Tiranë, Kerry do të takojë kryeministrin Edi Rama, ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, liderin e opozitës Lulzim Basha, ndërsa do të ketë dhe një tryezë me shoqërinë civile.
Masat për të garantuar sigurinë e kësaj vizite të rëndësishme, janë tepër të larta. Mbi 1500 punonjës të unfirmave blu janë në gjendje gatishmërie, ndërsa një helikopter i ushtrisë do të monitorojë nga ajri lëvizjen e zyrtarit amerikan nga Rinasi drejt kryeqytetit.