Report TV - Atentati ndaj ndërtuesit Suli, nuk ka filmime nga kamerat e sigurisë

2016-02-12 1

Katër ditë pas atentatit të dështuar me eksploziv në kryeqytet ndaj ndërtuesit dhe tregtarit të karburanteve Nuredin Suli, zbardhen detaje të reja sa i përket hetimeve për atentatin.

Sipas burimeve kamerat e sigurisë të vendosura pikërisht në vendin ku supozohet se ka qenë i parkuar automjeti mercedez - benz i blinduar në pronësi të Nuredin Sulit, nuk kanë regjistruar asgjë.

Pamjet që shihen në foto i përkasin vendit ku sipas burimeve ka qenë i parkuar mjeti i Sulit.

Në të djathtë shihet edhe një kamera sigurie e vendosur në një prej kolonave të garazhit.

Sipas hetuesve është vënë re se pamjet e kamerave të sigurisë që ndodheshin pikërisht në vendin ku ishte parkuar vetura e Sulit, nuk kanë regjistruar asgjë.

Ky i fundit mësohet se e kishte parkuar veturën e tij në garazhin e qendrës së njohur tregtare një natë përpara se ndërtuesi të parkonte veturën e tij të blinduar.

Çuditërisht sipas hetuesve kamerat e sigurisë në këtë pozicion nuk kishin filmuar asgjë prej dy ditësh e për më tepër ato ishin të fikura.

Kjo ka bërë që hetuesit të nisin një verifikim për të saktësuar nëse kamerat e kësaj pjese të parkimit të qendrës tregtare nuk kanë funksionuar për shkak të problemeve teknike, apo për shkak të ndonjë ndërhyrje të qëllimshme nga pjesëtarët e stafit të sigurisë së qendrës tregtare.

Hetuesit tashmë po analizojnë pamjet e kamerave të hyrje - daljeve të objektit, por edhe të atyre për rreth për të identifikuar persona të dyshimtë që futen në qendrën tregtare.

Nuredin Suli 53 vjeç nga Patosi i Fierit, banues në Tiranë i shpëtoi mrekullisht një atentati të martën e 9 shkurtit, kur nga mjeti i tij u shkëput një bombë e montuar në të me magnet.

Hetimet e policisë janë orientuar në pistën e një krimi për motive hakmarrje me familjen Sulo, po nga Fieri, mes të cilëve ka pasur një seri atentatesh pavarësisht kësaj, palët kanë pretenduar se nuk kanë pasur lidhje me atentatet ndaj palës kundërshtare.