TIRANË - Për demokratët, ndryshimet në ligjin për Televizionin Publik Shqiptar nuk mund të bëhen pa u konsultuar më parë me ndërkombëtarët, Bashkimin Evropian, OSBE-në dhe Këshillin e Evropës. Në një prononcim për gazetarët deputeti i PD-së, njëherësh kreu i Komisionit të Medias, Genc Pollo, tha se "drejtori i Radio Televizionit Publik nuk mund të kapet nga kryeministri".
Ligji i vjetër i vitit 2013 sipas tij, e bënte institucionin më të pavarur politikisht. Sipas ligjit në fuqi, zgjedhja e drejtuesit të RTSH-së kërkon konsensus absolut, i cili nuk është arrtirur mes mazhorancës aktuale.
"Për dy vjet e gjysmë pranuam që dy kandidatë për drejtorin e RTSH-së të ishin nga Partia Socialiste, por nuk mund të pranojmë që emri të përcaktohet ekskluzivisht nga Rama", - u shpreh Pollo.
Një ditë më parë, nënkryetari i Komisionit kuvendor të Medias, socialisti Alfred Peza, tha se PS dhe LSI kanë mbledhur firmat e nevojshme të deputetëve për të amenduar ligjin për TVSH-në. Sipas këtij ndryshimi drejtori i RTSH-së zgjidhjet me të njëjtën formulë si Presidenti nga Këshilli Drejtues i Televizionit.
Me 28 firmat e deputetëve, nisma për amendimet në ligj kalon me procedurë të përshpejtuar.
Drejtori i Përgjithshëm i Televizionit publik shkarkohet me dy të tretat e votave të Këshillit Drejtues i cili 10 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit fillon ndryshimin.
Në konferencën e fundvitit 2015, vetë kryeministri Edi Rama tha se drejtuesi i Radio Televizioni Publik Shqiptar do të zgjidhet në Janar, por edhe pse ky muaj ka kaluar tashmë puna është duke vijuar për tu finalizuar shumë shpejt.