Duke filluar nga data 11 shkurt nuk do të lejohet prerja e pyjeve për 10 vjet. Moratoriumi 10-vjecar ka hyrë në fuqi menjëherë sapo është botuar në Fletoren Zyrtare. Sipas këtij moratoriumi do të ndalohet kategorikisht shfrytëzimi i lëndës drusore në fondin publik e privat pyjor, tregtimi i produkteve të tij, eksportimi i lëndës së papërpunuar të drurit, lëndës së ndërtimit , drutë e zjarrit dhe qymyri i drurit.
Ministri i Mjedisit Lefter Koka u shpreh sot se ky moratorium është një vendim historik, i cili do të ndryshojë të ardhmen e pyjeve. Koka u ka bërë apel qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse që të zbatojnë moratoriumin.
Ndërkohë personat apo subjekte të cilat do të presin pyje, do të gjobiten me 5 milionë lekë të reja.
Por prerja e tyre nuk do të ndalohet për të gjithë. Në nenin 3 të projektligjit që ka hyrë tashmë në fuqi parashikohen rastet e përjashtimit: shfrytëzimi i lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor referuar legjislacionit në fuqi, si dhe frytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore.
?Natyrisht moratoriumi nuk mund të realizohet 100% ne praktike per vete arsyen se nevoja e popullsisë për lëndë drusore për ngrohje, nevoja e vete pyllit për t'u pastruar dhe nevojat e shtetit për tjetërsim prone nuk mund të anashkalohen?,- thuhet në relacionin e projektligjit.
Ndërkohë të gjitha lejet që janë dhënë Nga Ministria e Mjedisit për prerjen e pyjeve do të pezullohen.