Report Tv - Dakordësi apo jo për Byronë?! Meta: PD të sqarojë qëndrimin

2016-02-11 4

TIRANË - Kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk ishte njohur me deklaratën e liderit të opozitës Basha që shprehej kundër variantit të miratuar nga qeveria për Byronë Kombëtare të Hetimit, ndaj fillimisht u shpreh i kënaqur dhe e quajti lajm të mrekullueshëm dakordësinë që ai mendonte se PD-ja kishte dhënë për këtë draft. Por me tu njohur me kundërshtinë që kryedemokrati shfaqi ndaj këtij drafti, Metai bëri apel të qartësojë qëndrimin, pasi mazhoranca siç theksoi ai- nuk do të bëjë as një hap pa opozitën.

...
Takimi që Meta pati me kryetarin e Asamblesë së Sllovenisë Milan Brglez nuk i kishte lënë kohë kryeparlamentarit të ndiqte qëndrimin publik që Basha shfaqi këtë mëngjes: Se nuk do të votojë një Byro Hetimi pa qenë në varësi të plotë të Prokurorisë. Për Bashën, qeveria kishte bërë "hile" duke dalë nga varianti i dakordësuar më parë sipas modelit amerikan dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

"Ne kemi mbështetur dhe mbështesim çdo institucion që synon të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në këtë vend. Ka qenë një lajm i shkëlqyer që Partia Demokratike është dakordësuar me këtë çështje, sepse ajo ka pasur mospajtimet e saj kur ligji kaloi në Kuvend dhe ky është një lajm shumë i mirë. Ministrja e Shtetit z. Felaj në emër të qeverisë bëri dje të qartë që gjithçka ka qenë e dakordësuar edhe me partnerët tanë amerikanë, të cilët kanë një përkushtim të veçantë në mbështetjen e këtij institucioni të ri. Kështu që tani, besoj dhe shpresoj që të ketë mbërritur në Kuvend dhe të fillojmë menjëherë procedurat. Të shprehet dhe Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe të fillojë sa më shpejt nga puna. Nuk shikoj asnjë problem, nuk shikoj asnjë shqetësim, - tha Meta

Ishin gazetarët, të cilët gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që Meta mbajti me Brglez, e informuan për kreun e Kuvendit për kundërshtinë që opozita shfaqi ndaj këtij drafti. në këto kushte, Meta ju drejtua me një apel opozitës: Të sqarojë pozicionin e saj!

"Duket se Ministrja e Shtetit znj. Felaj dje e ka bërë të qartë, që ky është drafti i dakordësuar. Nga komunikimi që kam pasur edhe me Ministrin e Brendshëm, i cili ka qenë në komunikim të vazhdueshëm për këtë çështje prej më shumë se një viti edhe me partnerët tanë, edhe me Kryeministrin, gjithçka ka qenë i dakordësuar. Askush nuk është i ndaluar të ndryshojë mendim, por e rëndësishme është që të gjithë të dakordësohemi përfundimisht në mënyrë që kjo agjenci të krijohet sa më shpejt. Kështu që besoj se kjo gjë është e qartë", vijoi Meta.