Report TV - Dakordësi apo jo për Byronë?! Meta: PD të sqarojë qëndrimin

2016-02-11 4

TIRANË - Kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk ishte njohur me deklaratën e liderit të opozitës Basha që shprehej kundër variantit të miratuar nga qeveria për Byronë Kombëtare të Hetimit, ndaj fillimisht u shpreh i kënaqur dhe e quajti lajm të mrekullueshëm dakordësinë që ai mendonte se PD-ja kishte dhënë për këtë draft. Por me tu njohur me kundërshtinë që kryedemokrati shfaqi ndaj këtij drafti, Metai bëri apel të qartësojë qëndrimin, pasi mazhoranca siç theksoi ai- nuk do të bëjë as një hap pa opozitën.

...
Takimi që Meta pati me kryetarin e Asamblesë së Sllovenisë Milan Brglez nuk i kishte lënë kohë kryeparlamentarit të ndiqte qëndrimin publik që Basha shfaqi këtë mëngjes: Se nuk do të votojë një Byro Hetimi pa qenë në varësi të plotë të Prokurorisë. Për Bashën, qeveria kishte bërë "hile" duke dalë nga varianti i dakordësuar më parë sipas modelit amerikan dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.


Ishin gazetarët, të cilët gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që Meta mbajti me Brglez, e informuan për kreun e Kuvendit për kundërshtinë që opozita shfaqi ndaj këtij drafti. në këto kushte, Meta ju drejtua me një apel opozitës: Të sqarojë pozicionin e saj!

"Askush nuk është i ndaluar të ndryshojë qëndrim. Ne e kemi të vështirë të punojmë pa opozitën,e kemi të pamundur do thoja. Shpresojmë që opozita të sqarojë pozicionin e saj dhe e ka këtë mundësi tani që drafti vjen në kuvend", vijoi Meta.

I pyetur nga gazetarët nëse diskutimet për këtë projektligj do të zhvillohen në komisionin e ngritur për reformën në drejtësi, apo në komisionet parlamentare, Meta tha se në këtë pikë do të ecet sipas dëshirës së opozitës.

"Ku të dëshirojë opozita, do te komisioni i reformës në drejtësi, te ligjet, te integrimi evropian, ku të dëshirojë opozita. Në vullnetin tonë është qe të kemi përfshirje sa më të plotë të opozitës", tha Meta.

Free Traffic Exchange