MIRDITË - Një 20-vjeçare e cila plagosi me thikë një të ri i cili tentoi ta përdhunonte, u kthye në "heroinë" të opinionit publik për guximin e saj. Por mesa duket, ngjarja fsheh pas një tjetër skenar. Dy ditë pas ngjarjes në Kodër Rrëshen, hetimet e policisë kanë ngritur dyshime të forta se e reja me inicialet M.Gj dhe 24-vjeçari S.Tusha të kenë pasur një lidhje dashurie me njëri-tjetrin, edhe pse ky fakt nuk pranohet nga 20-vjeçarja. Plagosja e rëndë e të riut mund të ketë ndodhur me paramendim - thanë burime nga policia për Shqiptarja.com - kjo, për shkak se vajza kishte thikën me vete.
Sipas hetimeve paraprake të policisë, dy të rinjtë kishin komunikuar në telefon me njëri-tjetrin dhe kishin lënë takim në një pyll në Kodër Rrëshen, një rrugë e mesme ndërmjet dy fshatrave ku ata jetojnë. Vajza kishte udhëtuar nga fshati Prosek ku jeton me prindërit deri në Kodër Rrëshen për tu takuar me 24-vjeçarin. Ndërsa Tusha, e ka pritur të renë në fshatin e tij për tu larguar më tej në një zonë të pyllëzuar 1 kilometra larg banesës së tij.
Oficeret e policisë të cilët po merren me hetimin dyshojnë se vajza i ka kërkuar djalit që të lidhet me një litar duke i premtuar se do të kryente marrëdhënie seksuale më të. Por këtë moment ajo e ka shfrytëzuar për ta qëlluar disa herë me thikë. Mbetet ende i paqartë motivi përse e reja ka qëlluar me thikë të dashurin e saj, përsa kohë ajo mohon lidhjen, ndërsa 24-vjeçari ende nuk ka dëshmuar për shkak se ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Ndonëse me plagë në trup 24-vjeçari i është kundërpërgjigjur vajzës duke e qëlluar me shkelma në fytyre. Por këto dyshime të policisë nuk janë pranuar nga 20-vjeçarja e cila vijon të qëndrojë duke marrë mjekim në Spitalin e Rrëshenit për shkak të plagëve të marra. Nga spitali ajo ka dhënë dëshminë e sajë para grupi hetimor, duke deklaruar se 24-vjeçari Tusha ka tentuar ta përdhunojë ndaj ka qëlluar mbi të. Ajo ka mohuar faktin se midis tyre kishte ndonjë lidhje intime, duke deklaruar se me djalin nuk kishte pasur asnjëherë komunikim.
Për të zbuluar lidhjet që ata mund të kenë pasur midis tyre, policia pritet që të zbardhe tabulatet telefonike. Telefonat e dy të rinjve tashmë janë sekuestruar nga grupi hetimor, për të zbardhur nëse midis tyre ka pasur biseda apo jo.
Me interes për hetimin pritet edhe dëshmia e 24-vjeçarit S.Tusha. Oficeret e policisë po presin përmirësimin e shëndetit të ti për të dëgjuar versionin e tij në lidhje me ngjarjen.