TIRANË - Demokratët janë thyer në besë nga qeveria me miratimin surprizë të projektligjit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mesditën e së mërkurës. Sipas liderit të opozitës Lulzim Basha ky nuk është varianti për të cilin Partia Demokratike kishte rëndë dakord me mazhorancën, sipas modelit amerikan dhe i bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Në një prononcim për gazetarët mëngjesin e kësaj të enjteje kryedemokrati Basha shprehu publikisht se opozita nuk do ta votojë këtë ligj, me argumentin se Byroja e Hetimit e miratuar nga qeveria nuk është tërësisht në varësinë e Prokurorisë, siç palët kishin rënë dakord më herët.
Për liderin e opozitës, drejtimi i Byrosë nga Policia e Shtetit do të thotë kontroll i hetimeve nga vetë qeveria, hetime që do të fokusohen në luftimin e korrupsionit në radhët e zyrtarëev të lartë.
Një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryetari Basha ishte i lëkundur në qëndrimin e tij përballë Byrosë, kjo për shkak se nuk ishte njohur me projektligjin që kish miratuar Këshilli i Ministrave. Edhe pse e përshëndeti në parim ngritjen e Byrosë, Basha la të qartë se opozita nuk do të binte kurrsesi dakord nëse ky institucion nuk do të ishte në varësinë 100 % të Prokurorisë.