Report TV - "Më kërkoni falje", Fullani padit Kuvendin e BSH: Dua rrogën

2016-02-10 0

TIRANE - Ardian Fullani padit në Gjykatën Administrative Kuvendin dhe Bankën e Shqipërisë për shkarkimin nga detyra e Guvernatorit dhe anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, me argumentin se vendimi ka qenë i paligjshëm. Sipas padisë, të cilën Shqiptarja.com e siguron, Fullani kërkon dëmshpërblim pasuror që prej datës së shkarkimit më 18 shtator 2014 deri më 17 nëntor të vitit 2018, kur do duhej t'i përfundonte mandati.

"Detyrimi i palëve të paditura të shpërblejnë paditësin duke i njohur atij të drejtën e shpërblimit për detyrën e Guvernatorit dhe Bankës së Shqipërisë dhe/ose Anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së Republikës së Shqipërisë që prej datës së shkarkimit 18.09.2014 deri në datën e përfundimit të mandatit që është data 17.11.2018", thuhet në padi.

Por jo vetëm aq. Në padinë ndaj Kuvendit dhe Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Fullani kërkon edhe dëmshpërblim moral nga ana e këtyre institucioneve. "Detyrimin të shpërblejnë paditësin për dëmin jopasuror", thuhet në kërkesë padi.

Në 18 shtator të 2014-ës, Kuvendi shkarkoi me votë të fshehtë Fullanin nga posti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të cilin e mbante prej 9 vitesh. Në atë kohë, Fullani ndodhej në masën e sigurisë të "arrestit shtëpiak" dhe hetohej për skandalin që përfshiu në korrik të 2014-ës Bankën e Shqipërisë me vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit në Linzë.

Ishte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë që i propozoi Kuvendit shkarkimin e Fullanit me argumentin se kish shkelur etikën dhe ka cënuar thellë interesat e BSH-së. Me arrestimin e Fullanit në 5 shtator të 2014, vetëm 2 muaj pas vjedhjes së thesarit, Banka kaloi nën drejtimin e përkohshëm të zëvendësguvernatores së Parë Elisabeta Gjoni, njëherësh anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa në shkurt të 2015-ës Kuvendi zgjodhi drejtuesin e ri të Bankës së Shqipërisë, Guvernatorin Genti Sejko.

Ish-kreu i institucionit më të lartë financiat në vend, fitoi pafajësinë në muajin tetor të 2015-ës, nën akuzat e Prokurorisë së Tiranës për shpërdorim detyre ne lidhje me tenderin 30 milion euro të blerjes së hotel Dajtit dhe vjedhjen e 713 milion lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë.