Reprot TV - Zaganjori: “21 Janari” ruhet në kasafortë, do gjykohet shpejt

2016-02-10 0

Dosja e 21 janarit do të gjykohet shumë shpejt. Kështu ka deklaruar këtë të mërkurë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.

I pyetur nga gazetarët mbi arsyet e vonesës së gjykimit të kësaj çështje e cila ndodhet në Gjykatë të Lartë që prej 5 vitesh, ai tha se dosja do të merret në shqyrtim shumë shpejt, por pa dhënë detaje mbi datën.

?Kemi marrë masa për dosjen, ka patur një ruajtje të veçantë në kasafortën e Gjykatës së Lartë. Mendoj që çështja do trajtohet shumë shpejt. Duhet të kemi parasysh ngarkesën e madhe që ka, është shumë voluminoze,? deklaroi Zaganjori duke shtuar se tashmë është gati relacioni dhe u është shpërndarë anëtarëve të Kolegjit Penal, të cilin ai vetë nuk e ka lexuar.

Sipas tij, çështja duhet të ishte shqyrtuar që në verën ose vjeshtën e kaluar.

Pesë vite nga tragjedia e 21 Janarit ku humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika drejtësia mban pezull vendimin final për këtë dosje.

Teksa të pandehurit për vrasjen e protestuesve të pafajshëm, gardistët Ndrea Prengi, Agim Llupo e Margarit Kume ndodhet jashtë qelisë, 25 muaj nuk i kanë mjaftuar Gjykatës së Lartë të nisë procesin për vendimin e dosjes ?21 Janari?.

Më 28 Tetor 2013 Prokuroria e Përgjithshme ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkoi dënimin e tre gardistëve me nga 25 vite burg, por ende ky proces ndodhet në fazën e studimit nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.