TIRANE - Nuk është hera e parë që eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstain vijnë në Shqipëri për të monitoruar ecurinë e zbatimit të proceseve të rëndësishme, por vizita e kësaj të hëne i ka bërë të ikin më optimistë për të ardhmen integruese të vendit tonë. "Do të largohem nga Shqipëria pak më shumë optimist", tha Kukan.
"Drejtesia", Fleckenstain: Lideret politike deshire per te gjetur zgjidhje
Takimet që patën me kryeparlamentarin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha i kanë lënë shijen e mirë dy europarlamentarëve, se liderët politikë janë të gatshëm dhe kanë vullnetin për të realizuar reformën në drejtësi.
"Ajo që na nevojitet është një qasje e përbashkët që jo vetëm të miratohen por edhe zbatimi i duhur i reformave në vend. Jam i lumtur me gjërat që kam dëgjuar sot nga kryeparlamentari Meta, kryeministri Rama, lideri i opozitës Basha që më kanë bindur se ekziston dëshira për të gjetur një zgjidhje", u shpreh raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Knut Fleckenstein në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kukan dhe Metën pas takimit që mbajtën në Kryesinë e Kuvendit.
Reformimi i sistemit të drejtësisë - tha ai - është prioritet për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe është një proces që duhet ndërmarrë për t'i shërbyer qytetarëve e për t'i kthyer atyre besimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma nuk duhet të bëhet për asnjë lider ndërkombëtar si kancelarja Merkel apo dikush tjetër - shtoi ai - por duhet të bëhet për të kënaqur popullin.
"Si mund të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni nëse nuk kemi një reformë të mirë në drejtësi?! Kjo nuk bëhet për të kënaqur Merkelin apo dikë tjetër por bëhet për popullin shqiptar", tha Fleckenstein.