Kryeministri i vendit, Edi Rama e konsideron kontrollin me Check-Up si një mundësi shumë të mirë për krijimin e të dhënave për mbulim universal shëndetësor, një nga synimet madhore të qeverisë që drejton.
Teksa ka qenë i pranishëm i shoqëruar dhe nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, për të parë nga afër zbatimin check-up në kabinetet e kësaj qendre të parashikuara për këtë qëllim, Rama ka shtuar se, krijohet për herë të parë një bazë të dhënash.
?Ne jemi shteti i vetëm në rajon dhe në evropë që nuk kemi një kartelë shëndetësore të popullatës dhe duke mos pasur të tilla, nuk dimë se cila është situata e përgjithshme dhe kush janë sëmundjet më problematike, çfarë duhet të bëjmë me politikat më tej, etj. Kjo është vendosja e një bazë të dhënash për herë të parë pas 20 e kusur vitesh, se para 20 e kusur vitesh edhe lopët, edhe delet kishin kartelën e tyre. Kurse këtu gjithçka u zhduk dhe prandaj do të ishte mirë ta bënim për të gjithë popullsinë, por jemi fokusuar tek 40-65 vjeç sepse aty zakonisht shfaqen problemet e fillesave me sëmundjet. Besoj që të gjithë kanë të mirën që informohen, por është edhe një e mirë e përbashkët sepse krijojmë një bazë të dhënash për herë të parë dhe mbi atë bazë të dhënash bëjmë dhe politikat që na duhen. Pa këtë bazë të dhënash nuk e bëjmë dot sistemin e shëndetësisë me mbulim universal, dmth falas për të gjithë ata që s?kanë mundësi" ka thënë ai.