TIRANE - Ministri i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj tha se në fokus të mbledhjes së grupit parlamentar socialist këtë të hënë ishin partneritetet e fundit publik-privat që qeveria ka lidhur për disa shërbime. Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, Ahmetaj tha se nuk është hera e parë që ministrat raportojnë para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku përmendi edhe raste konkrete siç janë momentet e kalimit të buxhetit të shtetit apo paketës fiskale. Ai tha se në mbledhje nuk pati debate, por nuk përjashtoi mundësinë që disa deputetë të kenë paqartësi në lidhje me koncesionet e dhëna. Megjithatë - shtoi ministri - grupi në përgjithësi është i bindur se partneritetet me publikun nuk janë në asnjë rast jashtë programit të Partisë Socialiste.
"Në fokus të mbledhjes ishte parashtrimi i reformave të qeverisë, strategjia partneritet publik privat për atë që do bëjmë në favor të qytetarëve. U fol për tendencën pozitive të ekonomisë shqiptare e konfirmuar edhe nga Standard and Poor's. Raportimi nuk është hera e parë, është hera e disatë dhe ne e bëjmë vazhdimisht në momentin e kalimit të buxhetit të shtetit, të paketës fiskale. Ne ndajmë me grupin parlamentar pritshmëritë tona dhe i përgatisim për reformat që do marrin në 2016 dhe në vazhdim. Ndonjë deputet edhe mund të ketë pasur paqartësi por grupi parlamentar është i qartë, është i bindur, aq më tepër gjithë koncesionet nuk dalin asnjë fije jashtë programit të Partisë Socialiste kur ne kemi qenë në opozitë. Ne i referohemi partneritetit publik-privat si një nga instrumentet për të ofruar më shumë shërbime dhe për të thithur më shumë investime, gjë që ne e bëjmë", u shpreh Ahmetaj.
Edhe dy ministra të tjerë, ai i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe i energjetikës Damian Gjiknuri, raportuan para deputetëve socialistë për koncesionet e dhënë në këta sektorë me firmën e tyre.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste la mbledhjen rreth 90 minuta pas nisjes së saj, për shkak të axhendës. Kreu i qeverisë u takua me dy eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein të cilët ndodhen në një vizitë zyrtare në Tiranë. Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura u drejtua më tej nga kreu i grupit parlamentar, deputeti Gramoz Ruçi.
Një ditë më parë kryeministri renditi reformat e marra nga qeveria, që nga ulja e taksave, tek kontrolli mjekësor falas, ndërsa këtë të hënë bëri publike listën me tarifat për shëndetësinë.