Report TV - Rritet mesatarja, ja kriteret si do pranohen studentët në Universitet

2016-02-08 4

Pranimet e reja në Universitetet publike do bëhen në bazë të mesatarës së tre viteve të shkollës së mesme, notëve të provimeve me zgjedhje dhe notave të lëndëve formuese.

Universiteti i Tiranës ka përcaktuar dy kritere për studentët e rinj. Fituesit do përcaktohen sipas formulës, ku 50% të peshës e ka nota mesatare e shkollës së mesme dhe 50% nota mesatare e gruplëndëve, në lidhje me degën që do konkurojnë maturantët.

Por Universiteti i Mjekësisë ka vendosur kritere më të rrepta. Pavarisht se qeveria pritet të vendosë notën mesatare dysheme 6, për t?u pranuar në degët, Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji, duhet të keni mestaren e shkollës së mesme minimumi 8.5.

Sipas vendimit që ka miratuar Senati i Universiteti i Mjekësisë nuk do pranohet asnjë student poshtë mesatares 8.5 të shkollës së mesme. Për përcaktimin e fituesve në Universitetin e Mjekësisë do të merren parasysh 3 kritere, nota mesatare e maturës shtetërore, nota mesatare e shkollës së mesme dhe nota e lëndëve formuese.

Ndërsa Universiteti Politeknik ka përcaktuar një formulë tjetër pranimi, duke mos përcaktuar mesatare shtesë, por duke i dhënë përparësi notave në lëndët e Matematikës,
Fizikës dhe Kimisë.

Kështu studentët në 22 programet e Universitetit Politeknik do pranohen në bazë të mesatares, e cila do të ketë 70% të peshës dhe 30% nota në Matematikë, Fizikë dhe
Kimi. Në këtë mënyrë universitetet publike i kanë dhënë rëndësi mesatares së shkollës së mesme dhe jo më provimeve të maturës shtetërore.