Report TV - Pagat e referencës, avokatët: Të tërhiqet qeveria ose përshkallëzim

2016-02-05 1

Avokatët nuk tërhiqen nga bojkoti i proceseve gjyqësore të paralajmëruar për më 8 shkurt ditën e hënë. Në një reagim për ReportTv kreu i avokatëve penalistë, Saimir Visha deklaron se nëse qeveria nuk tërhiqet protesta do përshkallëzohet deri në përballje ligjore.

Greva e avokatëve për shkak të pagës së referencës për llogaritjen e sigurimeve do të bëhet ditën e hënë më 8 shkurt dhe pse Ministri i Drejtësisë i kërkoi atyre të mos bojkotojnë seaacat.

Të pyetur nga ReportTv ata deklarojnë se ky është vetëm hapi i parë i një proteste që sipas kreut të Avokatëve Penalistë, Saimir Visha mund të radikalizohet.

Ndërkohë për avokatin Idajet Beqiri rritja e taksave pengon punësimin pasi një avokat ka rreth vetes dhe asistentë e ndihmës.

Jashtë kamerave disa prej avokatëve pranojnë që të taksohen dhe sipas tarifave të reja, por për ta shqetësim mbetet informaliteti dhe ekzistenca e avokatëve që sipas tyre duhet të dalin në pension pasi kanë deformuar tregun.

Pak ditë më parë Dhoma Kombëtare e Avokatisë paralajmëroi me anë të një njoftimi se më 8 shkurt ditën e hënë do të bojkotojnë proceset gjyqësore dhe hetimore për të kundërshtuar rritjen e pagës së referencës për efekt të kontributeve shoqërore.