Report TV - Hiqet ekskluziviteti i "Nënë Terezës" aeroportet e tjera do jenë 100 km larg

2016-02-03 0

Kompania koncesionare e fluturimeve në Shqipëri, ka rënë dakord të heqë dorë nga eksluziviteti në këtë treg, me kusht që aeroportet e tjerë të jenë së paku 100 kilometra larg nga Aereoporti nënë Tereza.

I akuzuar nga opozita se prej gjashtë muajsh nuk është bërë asgjë për heqjen e monopolit të fluturimeve, Ministri Arben Ahmetaj tha se tashmë është gjetur gjuha e përbashkët ne koncesionarin e Aereoportit të Rinasit.

"Ministri i Transportit dhe Ministri i Ekonomisë e kanë firmosur pjesën e tyre të marrwveshjes për liberalizimin, duhet të ndaj me ju që dokumenti është për procedurë në bordin e koncesionarit dhe menjëherë vjen në qeveri dhe pastaj ndjek rrugën në parlament sepse është mbyllur negociata me sukses. Është realizuar heqje ekskluziviteti me një rreze 100 kilometërshe duke përjashtuar edhe Vlorën pra aeroporti i Vlorës 1, aeroporti i Kukësit 2 dhe çdo lloj aeroporti tjetër mund të jenë ndërkombëtarë dhe që nga ky muaj ne presim oferta nga operatorë ndërkombëtarë të njohur," shpjegoi Ahmetaj.

Deklaratat e Ministrit të Ekonomisë u bënë gjatë prezantimit të reformave për vitet 2016-2018. Ahmetaj tha se në dy vite numri i të punësuarve është shtuar me 160 mijë. Ndërkohë që në vijim prioritet do t;i jepet zgjerimit të aktivitetit të Portit të Durrësit, dhe veprave indrastrukturore, si autostrada Adriatiko-Joniane.