Në sallën pritëse të Akademisë së Shkencave po zhvillohen homazhe në nder të ndriçuesit të historisë shqiptare i cili ndërroi jetë tre ditë më parë. Në ceremoni ishte i pranishëm kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, presidenti i Republikës Bujar Nishani, kreu i opozitës Lulzim Basha, miq, akademikë dhe të afërm të Frashërit.
Ditën e diel, më 31 janar 2016 në mbrëmje u nda nga bota intelektuale e mediatike një nga eruditët dhe polemistët më të mëdhenj të kohës, nga një vdekje natyrale. Kristo Frashëri e përjetoi historinë e shkruar në librat e tij, që nisin që nga etnogjeneza ilire deri në historinë e ditëve të sotme. Pinjoll i një familjeje të njohur patriotike dhe intelektuale të Frashëllinjve, ai u shqua si patriot dhe antifashist në vitet e okupacionit italian dhe gjerman, gjatë Luftës II Botërore.