TIRANE - Përpos ekspozimit ndaj rrezikut bombolat e gatimit apo të ngrohjes mbushen në pika karburanti me gaz të pakontrolluar.
Kështu mbushet një bombol gazi kundër të gjithë rregullave të sigurisë. Arian Goshi drejtor i inspektimit të pajisjeve nën presion sqaron në një intervistë për Report Tv edhe rrezikun që vjen nga bombolat e gazit që mbushen në pika të paautorizuara.
"Është ushtruar një inspektim në pikat e karburantit të cilat kanë të instaluar çisternat e gazit që kanë detyrim ligjor për të furnizuar vetëm automjetet dhe shkelja ishte pikërisht ky fakt që mbushnin bombolat pa e diskutuar pastaj nëse bombolat ishin të kolauduara ose jo por vetëm ky si veprim dhe ne i kemi penalizuar këto subjekte me gjoba nga 500 deri në 700 mijë lekë", shprehet ai.
Lidhur me kolaudimin e bombolave, Goshi thotë se ky është një tjetër problem e se bombolat duhet të kolaudohen të paktën një herë në 10 vjet.
"Minimalisht një bombol duhet që 1 herë në 10 vjet të kalojë në kolaudim. Vetë sh.a e ka të ndaluar me ligj që të mbushë bombola që nuk janë brenda afatit të kolaudimit", shprehet Gjoshi.
Ndërkohë bombolat 5 litroshe sipas ekspertit Goshi janë ato më të rrezikshmet pasi janë bombola që duhet të përdoren vetëm një herë dhe të mos rimbushen në rast të mbarimit të gazit.
"Bombolat 5 kg me ngjyre portokalli të cilat faktikisht janë për qëllime kampingu pra nuk duhet të përdoren për qëllime gatimi dhe ngrohje por janë kamping të lëvizshme", tha Gjoshi.
Ndërkohë nga inspektoriati bëhet apel që qytetarët të jenë më të përgjegjshëm nëse përdorin gazin në familjet e tyre për ngrohje ose gatim.