TIRANË - Kujtim Ibra, babai i vënë në pranga për vrasjen me thikë të vajzës së tij, nuk e kishte për herë të parë dhunën që ushtronte ndaj familjarëve të tij, ndërsa vetëm dy ditë pas krimit ishte ndarë me vendim gjykate nga gruaja e tij. Bashkëshortja ishte me urdhër mbrojtje, një skandal ky, kur në fakt Ibra jetonte në të njëjtën shtëpi me familjen e tij, gruan dhe dy vajzat 17 dhe 24 vjeç. Këtë detaj e dha për Report TV Erinda Bllaca, një nga aktivitet e shoqërisë civile. E ftuar në emisionin "Rreze Dielli", ajo tha se vetëm dy ditë para se Kujtim Ibra të vriste në gjendje të dehur vajzën e tij 17-vjeçare, Gjykata kishte marrë vendim për divorcin përfundimtar të çiftit, i cili kishte kohë që konfliktohej. Sipas saj, gjykata duhet të kishte vendosur menjëherë për ndarjen në ambiente të ndryshme të çiftit, përderisa për gruan kishte një urdhër mbrojtje.
Erinda Bllaca, koordinatore e "Linja kombetare per grate dhe vajzat" nuk lë pa përgjegjësi në këtë ngjarje edhe forcat e rendit, edhe pse në fakt, siç burime nga policia thanë dje për Shqiptarj.com, gruaja dhe vajzat nuk kishin denoncuar në asnjë rast dhunën e kryefamiljarit.